Vrasja e 35-vjeçares shtatzënë nga bashkëshorti i saj në oborrin e Gjinekologjisë në Spitalin e Kosovës ka krijuar shumë reagim në publik por jo vetëm. Viktima ishte në muajin e fundit të shtatzënisë dhe sipas mediave kosovare, çifti kishte pasur konfikte të vazhdueshme.
I ashpër ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Albin Kurti, i cili ka theksuar që i gjithë zinxhiri përgjegjës duhet të japë dorëheqjen.
“Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, shtoi ai.