Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan të mërkurën për mandatin e Këshillit Evropian për të negociuar rregulloren për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës. Në bazë të këtij mandati, presidenca e Këshillit Evropian do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian.
Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Lipavsky, tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës.
“Tani besojmë se do të jemi në gjendje të arrijmë shpejt një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta shndërruar këtë premtim në realitet. Liberalizimi i vizave u mundësua nga përqendrimi i Kosovës në forcimin e mbrojtjes së kufijve, menaxhimit të migracionit dhe sigurisë. Ne kemi besim se ky bashkëpunim i mirë do të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen”, tha zoti Lipavsky.
Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur me hyrjen në fuqi të sistemit evropian të udhëtimit, ETIAS, që pritet të ndodhë më 1 nëntor të vitit 2023 dhe më së voni me 1 janar të vitit 2024.