Twitter i ka dhënë fund politikës për luftimin e informacionit të rremë për pandeminë e koronavirusit.
Sipas njoftimit, kompania nuk ka marrë veprime kundër postimeve që shkelin rregulloret për këtë virus. Twitter ka bërë të ditur më parë se deri në muajin shtator ka pezulluar më shumë se 11.000 llogari për përhapje të informacionit të rremë për COVID-19.
Politikat e tjera të saj mbi informacionin e rremë do të vazhdojnë që të zbatohen për kompaninë. Asnjë veprim nuk do të ndërmerret kundër llogarive që postojnë dezinformim një herë në Twitter. Shkelësit e përsëritur mund të pezullohen për disa orë, ditë – apo edhe për një kohë të pacaktuar.
Megjithëse ekspertët e mediave sociale shprehen se sistemi i raportimit të Covid në Twitter nuk ishte kurrë i përsosur, pasi vetëm jgatë 2020 vetë kompania ishte në djeni se mijëra llogari përhapnin dezinformata.
Ndërkaq Twitter ka rikthyer llogarinë personale të kongresmenes amerikane Marjorie Taylor Greene, e ndaluar në janar. Miliona përdorues votuan për rivendosjen e llogarive të pezulluara në një sondazh në Twitter, ku Elon Musk postoi në Twitter: “Njerëzit kanë folur… amnistia fillon javën e ardhshme”.
Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, është zotuar se do ta bëjë Twitterin hapësirë e lirisë së fjalës, pas blerjes së kësaj platforme për 44 miliardë dollarë. Ndryshimet dhe kaosi në aspektin organizativ të platformës janë shënuar javët e para qëkur Musk u bë pronar i Twitter. Ai ka shkarkuar menaxherë dhe qindra punonjës të tjerë për sigurinë dhe privatësinë, duke tërhequr vëmendjen.