Pak kohë më parë, me kërkesë të qeverisë për të kontrolluar çmimin e naftës ndaj abuzimeve të mundshme u krijua Bordi i Transparancës. Mirëpo që nga nisja e tij është akuzuar në mënyrë konstante nga opozita dhe shoqëria civile për mungesë transparence. Një lum akuzash janë hedhur ndaj këtij Bordi, pasi shumë zëra thonë se ka favorizuar kompanitë e tregtimit të hidrokarbureve.
Në Shqipëri ka një amulli lidhur me eksport-importin e karburanteve dhe Bordi i Transaprencës vetëm transparent që nuk është. Bordi u krijua për të legjitimuar vjedhjen, pasi deri më sot, nuk ka ndodhur asnjëherë të ketë koherencë mes vlerës në bursë dhe përcaktimit të çmimit të hidrokarbureve në vend. Çmimet kanë rënë ndjeshëm në të gjithë Evropën këto ditë, mirëpo ulja e çmimit të karburantëve këtu lëviz në mënyrë të paprfillshme.
Faktikisht, ky organ kontrolli duhet të mblidhet për të reflektuar lëvizjet e çmimit të naftës në Bursë, por nuk ndodhi kështu. Pasqyrimi i këtyre lëvizjeve në vendin tonë bëhet me shumë vonesë, madje nuk reflektohet ndryshimi i çmimit real. Për shembull, një ton naftë në tregjet ndërkombëtare po tregtohet në nivelin e 934 dollarëve, niveli më i ulët që nga muaji mars. Mirëpo Bordi e ka reflektuar këtë çmim me një ditë më pas. Krahas vonesës, nëse do e krahasojmë me Maqedoninë e Veriut, e cila e uli me 4 lekë çmimin e naftës, rezulton që në vendin tonë ulja të jetë bërë 1 lekë më pak edhe pse me vonesë, pra 3 lekë për litër. Kjo ulje është më e vogël edhe pse denari është forcuar në krahasim me dollarin, ndërsa leku është dobësuar.
Nëse Bordi do të ishte treguar më i shpejtë dhe të ishte mbledhur më herët, ato lekë do të ishin kursyer nga xhepat e qytetarëve. Një tjetër dyshim lidhur me Bordin, lidhet me faktin se dukshëm po luan me kursin valutor të dollarit. Kështu ndërsa dollari kishte pësuar një rënie të ndjeshme gjatë gjithë javës duke qëndruar në nivelin e 112.20 – 112.97 lekëve, në ditën që Bordi shpall vendimin, kursi i dollarit forcohet automatikisht në 114.41, me 1.7 pikë më shumë, aq sa ishte dhe diferenca e çmimit me Maqedoninë.
Në vend, nafta arriti deri në 260 lekë për litër në fillim të marsit, pasi u ngjit në 130 dollarë në bursat ndërkombëtare. E habitshme të mendosh se aq e pagoi karburantin në të njëjtën kohë edhe një shtetas zviceran, i cili ka një pagë 15 herë më të madhe se të një shqiptari.
Pikërisht pas kësaj rritjeje u krijua ky Bord, i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit. Bordi e uli fillimisht çmimin deri në 203 lekë për litër, pasi në bursa zbriti nën 100 dollarë për fuçi. Për qytetarët këto çmime janë ende të larta dhe të papërballueshme. Në Shqipëri qarkullojnë mbi 700.000 automjete, nga të cilat 74% punojnë me naftë. Shqiptarët kanë paguar mesatarisht 26% më shtrenjtë për karburante brenda një viti ose rreth 185 milionë euro më tepër për të blerë më pak karburant në sasi.
Një raport të fundit të Bankës Botërore që i referohet të dhënave të vitit 2017 thekson se 33.8 për qind e popullsisë jetonte me më pak se 5.5 dollarë në ditë. 5 vite kanë kaluar, mirëpo standardi u jetësës për shqiptarët ka mbetur në të njëjtat nivele.
Përveç kësaj edhe çmimi i energjisë elektrike është më i larti në të gjithë rajonin, duke i bërë qytetarët shqiptarë të paguajnë dyfish më shumë se vendet fqinje.