Spanja dhe Gjermania janë ndarë në barazim 1:1 në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Kupën e Botës.
Me këtë rezultat, tani mbetet gjithçka e hapur për sa i takon kalimit të grupeve.
Ndeshja nisi më mirë për spanjollët, të cilët patën një mundësi të mirë në minutën e shtatë, por goditja e fortë e Dani Olmo-s u ndal nga traversa.
Në minutën e 25-të, Serge Gnabry pati një mundësi të mirë për ta kaluar Gjermaninë në epërsi, por goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën.
Pesë minuta para se skuadrat të shkonin në pushim, Gjermania zhbllokoi rezultatin me golin e shënuar nga Antonio Rudiger, por goli u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje.
Pra, pjesa e parë u mbyll me rezultat 0:0, derisa e dyta nisi me një ritëm më të lartë të spanjollëve.
Spanja e shënoi golin e parë në ndeshje në minutën e 62-të, kur Alvaro Morata realizoi gol vetëm gjashtë minuta pasi hyri në lojë, duke u asistuar nga Jordi Alba.
Pas këtij goli, Gjermania u zgjua nga gjumi, derisa ata arritën ta barazojnë rezultatin në minutën e 83-të.
Ishte sulmuesi i Werder Bremen, Niclas Fullkrug, i cili barazoi rezultatin duke u asistuar nga Jamal Musiala.
Në fund, Leroy Sane pati një mundësi të artë për t’ia dhuruar tre pikët Gjermanisë, por ai u tregua egoist duke mos pasuar të shoku i skuadrës që ishte i vetëm përballë portës.
Me këtë rezultat, tani Gjermania ka gjasa për ta kaluar grupin.