Data 28 Nëntor 1443 dhe 28 Nëntor 1912 janë tepër të rëndësishme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Data e parë është madhështore, kjo pasi madhështia u zmadhua përballë fuqisë së kundërshtarit, prej jehonës së rezistencës madhështore ndaj Perandorisë Osmane.
Ndërsa 1912-ta, nuk kishte impakt aq sa pati Skënderbeu me luftimet e tij për 25 vite, mbi të cilat u frymëzuan mbi 1 mijë vepra historike, letrare, muzikore e artistike, madje jo vetëm në shqip.
Prandaj nuk duhet harruar që në vitin 1443, më 28 nëntor, Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si Nëntori i dytë, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemali, i cili ngriti flamurin në Vlorë. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.
Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër.
Pra 28 Nëntori është ditë e veçantë për shqiptarët. Në këtë datë në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së shtetit tonë.