Shifrat flasin për një sukses të madh të vendit tonë, përsa i përket turizimit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT mbi 6.7 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në dhjetëmujorin janar-tetor të këtij viti, duke shënuar rritje me 31.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kur vendin tonë e vizituan 5.1 milionë shtetas të huaj.
Nga këta, 6.3 milionë kanë deklaruar se qëllimi i vizitës së tyre është për pushime dhe vizitë te të afërm. Përgjatë dhjetë muajve të 2022-shit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Anglia me 97,6 %, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 13,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Vetëm gjatë muajit tetor, referuar të dhënave të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar janë 754.385. Ky tregues rezulton me një rritje 25.4 %, krahasuar me tetorin e 2021-shit.
Shpenzimet e të huajve në Shqipëri, në 6 muajt e parë të vitit arritën në 1.13 miliardë euro, me një rritje prej 64% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.