Oboti është një nga fshatrat më të dëmtuar nga përmbytjet e viteve te fundit në Shkodër. Banorët e tij përballen thuajse çdo vit me vërshimin e ujërave, që vijnë nga rreshjet e shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve.
Mëgjithëse kanë kaluar 4 ditë nga fillimi i përmbytjeve, në këtë fshat me rreth 100 shtëpi, shkohet vetëm me ndihmën e automjeteve të larta të ushtrisë.
Ndërkohë, banorët shprehen se ndjehen të izoluar dhe se askush nuk po interesohet për gjendjen e tyre.
Në krye të rrugës që të çon në fshatin Obot, të njësisë administrative “Ana e Malit”, në Shkodër, prej katër ditësh qëndrojnë forca të shumta të ushtrisë me automjete dhe varka për t’u ardhur në ndihmë banorëve për të lëvizur, pasi rruga automobilistike është ende e pakalueshme për automjetet e ulëta.
Kjo pamje përsëritet thuajse çdo vit, që nga përmbytjet e vitit 2010, kur Shkodra u përfshi nga përmbytje masive, pasojat e të cilave vazhdon edhe sot e kësaj dite t’i vuajë e gjithë zona e Nënshkodrës.
Që pas përmbytjeve masive të 2010-tës, kur ujërat u shtrinë në të gjithë zonën e Nënshkodrës, deri në lagjet në hyrje të qytetit, janë bërë me dhjetëra studime dhe shpenzuar më shumë se 12 milion dollarë për sistemin dhe mbrojtjen e argjinaturave, e megjithatë Oboti dhe Nënshkodra vazhdojnë të përmbyten thuajse çdo vit.