Republikanët siguruan të mërkurën numrin e mjaftueshëm të vendeve për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, duke përgatitur terrenin për dy vjet qeverisjeje të ndarë në kushtet kur Partia Demokrate e Presidentit Joe Biden ruajti kontrollin e Senatit.
Fitorja u jep republikanëve mundësinë që të frenojnë programin e zotit Biden, si dhe të hapin hetime që mund të jenë të dëmshme politikisht për administratën dhe familjen e zotit Biden, megjithëse kjo fitore është shumë larg nga “vala e kuqe” që partia kishte shpresuar.
Parashikimi përfundimtar për fitoren e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve erdhi pas më shumë se një jave numërimi votash, kur organizata Edison Research arriti në përfundimin se republikanët kanë fituar 218 vendet që u duheshin për të kontrolluar Dhomën.
Fitorja e republikanëve në distriktin e 27-të të Kongresit në Kaliforni i dha epërsinë partisë.
Udhëheqësi aktual i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, mund të ketë përballet me një rrugë të vështirë, pasi do t’i duhet ta mbajë grupin e tij të bashkuar për votime kritike përfshirë buxhetin e qeverisë dhe ushtrisë në një kohë kur ish-presidenti Donald Trump ka shpallur kandidaturën për të marrë edhe një herë Shtëpinë e Bardhë.
Megjithëse humbja e demokratëve paraqet vështirësi për presidentin Biden, ai shtriu dorën e bashkëpunimit, duke përgëzuar republikanët dhe duke thënë se do të punonte me ta për të dhënë rezultate për amerikanët.
“Populli amerikan do që ne të punojmë për ta. Unë do të punoj me të gjithë qofshin republikanë apo demokratë, që janë të gatshëm të punojnë me mua për të dhënë rezultate për ta,” tha ai Biden.
Edhe pse “vala e kuqe” në Dhomën e Përfaqësuesve që republikanët prisnin nuk arriti të materializohej, konservatorët po i qëndrojnë programit të tyre.
Ata po përgatiten të ndërmarrin hetime për zyrtarë të administratës së presidentit Biden si edhe për djalin e presidentit, Hunter për marrëdhëniet e tij të biznesit me Kinën dhe vende të tjera, madje edhe për vetë zotin Biden. Në frontin ndërkombëtar, republikanët mund të kërkojnë të pakësojnë ndihmën ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së për Ukrainën.