Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar u rriten ndjeshëm këtë vit, por rimbursimi për bizneset shënoi rënie të fortë në krahasim me një vit më parë.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat nga TVSH-ja bruto gjatë 9-mujorin arritën në 157,6 miliardë lekë me një rritje me 19.4% në krahasim me janar-shtator 2021. Kriza e çmimeve të larta ka favorizuar rendimentin fiskal këtë vit, pasi më shumë të ardhura po arkëtohen në tatimet që vilen në përqindje të çmimeve të tilla si TVSH-ja.
Në të njëjtën periudhë rimbursimi i TVSH për bizneset ishte 13.7 miliardë lekë me një rënie 33.7% në raport me 9 -mujorin 2021.
Burimet nga Ministria e Financave, pohojnë se rënia e rimbursimeve lidhet me shlyerjen e borxheve ndaj investimeve të mëdha gjatë vitit të kaluar, që rriti shumën e rimbursuar në 2021. Stoku i borxhit për TVSH-në e parimbursuar pothuajse 0 nga rreth 9,7 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2020. Tani Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve po shlyen faturat korente dhe këstet sipas marrëveshje me investitorët e mëdhenj.
Gjatë vitit 2021 u bë likuidimi total për tatimpaguesin Bankers Petroleum Shpk të trajtuar me këste sipas marrëveshjes së nënshkruar, i cili ka pasur pjesën më të madhe të stokut të rimbursimit të TVSH-ë.
Por rimbursimi i TVSH është një instrument që përdoret për fushata elektorale. Vitin e kaluar para zgjedhjeve parlamentare pati një alokim të lartë të fondeve të TVSH që në shumë raste ishin sa 40 % e arkëtimeve bruto nga TVSH, ritmet u zbehen pas zgjedhjeve.
Rimbursimi i TVSH-së shpesh ka përfunduar në skema fiktive abuzimi për të përfituar në mënyre të padrejtë. Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve para pak ditësh njoftoi se mbi 1.2 miliard lekë të reja fatura fiktive ishin lëshuar nga shoqëri tregtare, që nuk kanë ushtruar në asnjë moment aktivitet ekonomik, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar në TVSH dhe Tatim Fitimi prej 300 milion lekësh të reja.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë si dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, tatimet kanë arritur të provojnë se këto subjekte në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementë të veprës penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” dhe janë çuar për ndjekje penale./ Monitor