Udhëheqësi suprem i Afganistanit ka urdhëruar gjyqtarët në vend që të zbatojnë plotësisht aspektet e ligjit islamik që përfshijnë ekzekutimet publike, vrasjet me gurë, fshikullimin, dhe prerjen e gjymtyrëve për hajdutët.
Zëdhënësi i shefit të talebanëve Zabihullah Mujahid shkroi në Twitter të dielën se vendimi ‘i detyrueshëm’ nga Hibatullah Akhundzada erdhi pasi udhëheqësi i fshehtë u takua me një grup gjyqtarësh.
Akhundzada, i cili nuk është filmuar apo fotografuar në publik që kur talebanët u kthyen në pushtet në gusht të vitit të kaluar, sundon me dekret nga Kandahari, vendlindja e lëvizjes dhe zemra shpirtërore.
Talebanët premtuan një version më të butë të sundimit të ashpër që karakterizoi qëndrimin e tyre të parë në pushtet, nga 1996-2001, por gradualisht i kanë shtypur të drejtat dhe liritë.