Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në Samitin e G20 javën e ardhshme, në atë që do të jenë bisedimet e para personalisht midis dy liderëve që kur Biden mori detyrën. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se Biden do të fliste me liderin kinez më 14 nëntor në Bali, Indonezi, për një mori çështjes të nxehta.
Dyshja do të diskutojë gjithashtu përpjekjet për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën, veçanërisht në sfidat transnacionale që prekin komunitetin ndërkombëtar. Takimi vjen në mes të zhgënjimit në rritje midis qeverive të SHBA-së dhe Kinës për çështje të tilla si politika tregtare, pushtimi i Rusisë në Ukrainë dhe qasja e Kinës ndaj Tajvanit.
Një zyrtar i lartë i administratës tha se Biden shpreson të kufizojë përkeqësimin e marrëdhënieve me Kinën dhe se do të mbajë një diskutim të gjatë për Tajvanin dhe të drejtat e njeriut. Lidhjet midis Pekinit dhe Uashingtonit kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët në dekada, veçanërisht që kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin në gusht.
Kina e konsideron ishullin demokratik të vetëqeverisur si territorin e saj dhe është ndjerë e kërcënuar me vizitat e profilit të lartë në Taipei nga politikanë amerikanë dhe evropianë.
Biden si fillim do të marrë pjesë në samitin e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Sharm el-Sheikh, Egjipt. Vizita e tij është ndalesa e parë për t’u përballur me disa nga çështjet më të mprehta të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Presidenti amerikan do detajojë përpjekjet e SHBA për të dekarbonizuar dhe ulur emetimet e metanit me qëllim kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius.