Turqia filloi të paguajë një pjesë të gazit natyror nga Rusia në rubla.
Ministri turk i Energjisë Fatih Donmez tha këtë të martën, raporton Reuters.
Donmez tha se në muajt në vijim do të rritet pesha e pagesave në monedhën vendase në tregtinë e energjisë me Rusinë.
Rusia, mes sanksioneve perëndimore për pushtimin e saj në Ukrainë, po kërkon gjithnjë e më shumë nga blerësit e burimeve të saj të energjisë që të paguajnë në rubla për të ndihmuar në forcimin e monedhës së saj.
Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare të energjisë janë lidhur në dollarë ose euro.
Turqia po përpiqet gjithashtu të nxisë tregtinë duke përdorur lirën, e cila ka vuajtur nga politika monetare joortodokse.
Në shtator, gjatë një takimi në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, presidentët e Turqisë dhe Rusisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin, ranë dakord që Ankaraja të paguante 25% të gazit rus në rubla.
I pyetur në lidhje me propozimin e presidentit rus Vladimir Putin për të krijuar një qendër gazi në Turqi, Donmez tha se Ankaraja do të zhvillojë një udhërrëfyes deri në fund të këtij viti dhe ndoshta do të mbajë një konferencë për furnizuesit dhe blerësit.