Sot është shansi i fundit i studentëve për të ndjekur studimet universitare. Procesi i regjistrimit për vitin akademik 2022-2023, për të gjithë ata maturantë që nuk kanë mundur të gjejnë një vend do të hapet ditën e sotme dhe do të mbyllet në orën 16:00.
Maturantët i ftoi të regjistrohen Ministrja e Arsimit Evis Kushi.
“Për të gjithë ata të rinj që duan të regjistrohen në universitete, që plotësojnë kriteret e mesatares së pranimit, por për arsye të ndryshme nuk kanë arritur të plotësojnë formularin A1/A1Z do të kenë një mundësi të re. Afati për plotësimin e formularëve do të jetë data 3 nëntor, nga ora 8:00 deri në 16:00. Në të gjitha shkollat e mesme të vendit, stafet tona mësimore do të jenë në gatishmëri të plotë për t’ju asistuar në këtë proces’’, u shpreh Kushi.
Degët me numrin më të lartë të kuotave të paplotësuara në Universitetin e Tiranës janë Matematika, Gjuhë Letërsia, Kimia dhe Biologjia. Një numër i lartë të kuotave të lira në disa prej degëve ka edhe Universiteti Bujqësor dhe ai Politeknik.
Për vitin akademik 2022-2023 në raundet e mëparshme janë regjistruar rreth 19 mijë studentë. Këtë vit numri i studentëve të regjistruar është më i ulët dhe kjo gjë mbylljen e disa degëve në disa prej universiteteve të vendit.