Rusia ka rinisur sulme masive me raketa në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe ujit. Të paktën dy shpërthime u raportuan në Kiev si dhe në qytetin verilindor të Kharkiv, ku objektet energjetike pësuan dëme të konsiderueshme.
Shërbimet e urgjencës të Ukrainës lëshuan një alarm duke u kërkuar njerëzve t’u binden sirenave, të kërkojnë strehim. Një person raportohet se ka humbur jetën. Këshilltari i lartë presidencial Anton Gerashchenko ka bërë të ditur se 40 raketa ruse u hodhën në Ukrainë. Një hidrocentral i madh në Kremenchuk në Ukrainën qendrore u sulmua gjithashtu.
Sulmet vijnë pasi Rusia fajësoi Ukrainën për një sulm me dron në flotën e saj të Detit të Zi në Krimenë e aneksuar. Sulme me raketa u raportuan gjithashtu në rajonin qendror Vinnytsia, si dhe në Zaporizhzhia në jug-lindje dhe Lviv në Ukrainën perëndimore.
Në javët e fundit, Rusia ka kryer një valë sulmesh ajrore, sulmeve me dronë dhe bombardime me artileri, duke shënjestruar infrastrukturën civile. Për pasojë, ka mjaft viktima dhe është shkatërruar më shumë se 40 për qind e infrastrukturës ukrainase të energjisë. Prandaj, shumë familje rrezikojnë të përballen me dimër të vështirë, pasi ndërprerjete rrymës veçse kanë nisur.
Ndërkaq dymbëdhjetë anije të eksportit të grurit janë larguar nga Ukraina pavarësisht se Rusia u tërhoq nga marrëveshja e drithit e ndërmjetësuar nga Turqia-OKB. Delegacionet e OKB-së dhe Turqisë kanë vendosur në dispozicion 10 ekipe për të inspektuar 40 anije që synojnë të përmbushin nismën e grurit të Detit të Zi.
Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja ka ngjallur një protestë nga Ukraina, NATO, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa Kombet e Bashkuara dhe Turqia, dy ndërmjetësit kryesorë të marrëveshjes së korrikut, janë vendosur në lëvizje për të mos krijuar një tjetër krizë. Qindra mijëra ton grurë që parashikohen të dërgohen në Afrikë dhe Lindjen e Mesme janë në rrezik pas tërheqjes së Rusisë, ndërsa eksportet e misrit ukrainas në Evropë do jenë më të ulëta. Çmimet e grurit pas tërheqjes së Rusisë u rritën me më shumë se 5% dhe misri u rrit me mbi 2% nga frika mbi furnizimet. Në fillim të këtij viti çmimet globale të grurit arritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Ndërkaq Franca po punon për të lejuar Ukrainën të eksportojë furnizime ushqimore përmes rrugëve tokësore dhe jo përmes Detit të Zi përmes Polonisë ose Rumanisë.