Telefoni personal i Liz Truss u hakerua nga agjentë të dyshuar se punonin për Kremlinin. The Mail on Sunday zbulon se spiunët kibernetikë besohet se kanë fituar akses në mesazhet top-sekret me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, si dhe biseda private me aleatin e saj kryesor politik, Kwasi Kwarteng.
Një burim brenda qeverisë ka bërë të ditur se telefoni tanimë është vendosur në një kasafortë të mbyllur brenda një vendi të sigurt të qeverisë. Hakerimi u zbulua gjatë fushatës së lidershipit të konservatorëve kur Truss ishte Sekretare e Jashtme dhe Boris Johnson ishte Kryeministër në atë kohë.
Tabloidet britanike raportojnë se mesazhet që ranë në duar të huaja përfshinin kritikat që Truss dhe Kwarteng i bënë Johnson. Ata gjithashtu besohet se kanë përfshirë diskutime shumë të ndjeshme me ministra të jashtëm të lartë ndërkombëtarë rreth luftës në Ukrainë, duke përfshirë diskutime të hollësishme rreth dërgesave të armëve.
Incidenti zgjidh misterin se përse Truss u detyrua të ndryshonte numrin e celularit që kishte përdorur për më shumë se një dekadë pak para se të bëhej kryeministre. Lëvizja shkaktoi tension mes ministrave dhe këshilltarëve të kabinetit, të cilët nuk ishin në gjendje të kontaktonin me të.
Ish-udhëheqësi i Partisë Konservatore dhe kritiku kryesor i Rusisë Iain Duncan Smith është shprehur se kjo është loja e Kremlinit të cilën e ka bërë gjithnjë kundrejt liderëve që kanë mbështetur Ukrainën në këtë agresion. Ekspertët e sigurisë kanë deklaruar se Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani së fundmi kanë shfaqur interes të madh në lidhje me mesazhet që shkëmbejnë sekretarët e jashtëm në të gjithë botën.
The Mail on Sunday zbuloi në fillim të këtij muaji se numri i telefonit celular i ish kryeministres britanike ishte në shitje në internet, së bashku me ato të 25 ministrave të kabinetit, për vetëm 6,49 paund.