Ka arritur në mbi 150 numri i personave të cilët humbën jetën në Seul në Korenë e Jugut gjatë festimeve për Halloween. Raportohet se deri më tani janë shpëtuar mbi 170 persona. Dhjetëra persona të tjerë janë plagosur teksa turmat filluan të përplaseshin. Shumica e të vdekurve ishin adoleshentë në të 20-at, ndërsa 19 ishin turistë të huaj. Shkaku i tragjedisë është ende duke u hetuar nga autoritetet.
Rrugët u shndërruan në një skenë horror teksa familjarët kërkonin personat e tyre të afërt dhe të tjerë të cilët u gjetën të shtrirë në tokë në disa trotuare. Përplasja duket se ka nisur në një rrugicë të ngushtë e të pjerrët, e mbipopulluar me njerëz. Fotot dhe videot në mediat sociale tregojnë se rrugica ishte e mbushur aq dendur sa njerëzit nuk mund të lëviznin.
Itaewon është një nga lagjet më të njohura në Seul. Vendasit dhe të huajt dynden atje çdo fundjavë, por Halloween është një nga netët më të ngarkuara të vitit. Rreth 100.000 njerëz u mblodhën për të festuar mbrëmjes e së shtunës për të shënuar Halloween-in e parë që nga fillimi i pandemisë, ku grumbullimet tanimë nuk janë të kufizuara dhe njerëzit nuk kanë më nevojë të mbajnë maska.
Kjo mendohet të jetë fatkeqësia e dytë më vdekjeprurëse në Korenë e Jugut që nga viti 2014, kur trageti Sewol u fundos duke vrarë më shumë se 300 njerëz. Vëmendja ka të ngjarë të zhvendoset te standardet e sigurisë dhe masat e kontrollit të turmave në këto raste. Disa liderë botërorë kanë shprehur ngushëllimet e tyre.