Pas dënimit nga Gjykata e Apelit në Shkodër për tjetërsimin e pronave në Ranën e Hedhun në Shëngjin, Policia e Lezhës është vënë në lëvizje për prangosjen e personave të dënuar.
I vetmi person që ndodhet tashmë në qeli është ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj, i cili u dorëzua mbrëmjen e së premtes.
Prej dy ditësh policia vijon kontrollet për prangosjen e tyre, por pa ia arritur qëllimit.
Gjykata e Apelit në Shkodër dha të premten e 28 tetorit, vendimet në lidhje me akuzat për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin për 18 persona.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarku Gjok Ndoka u dënuan me nga 3 vite burg.
Gjykata gjeti fajtor dhe 16 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por duke bërë disa ndryshime nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin e bashkisë Ardenis Haxhia dënimi me burg u konvertua me shërbim prove, ndërsa ish-futbollisti Renata Malotaj i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lezhës u dënua nga Apeli me 1 vit shërbim prove.
2 përfitues të pronave të tjetërsuara po ashtu u lanë në dënim me kusht. Për personat e tjerë, Apeli la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë e cila i kishte dënuar nga 1 deri në 3 vite burg.