Enver Hyseni, aktori i mirënjohur shqiptar është ndarë nga jeta këtë të shtunë të 29 tetorit.
Lajmi është bërë me dije nga vetë miqtë e aktorit.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur të teatrit ‘Migjeni’, Enver Hyseni”, shkruhet në njoftimin e publikuar nga vetë teatri.
Hyseni u lind në Shkodër më 1 gusht të 1951 dhe studioi në Institutin e Lartë të Arteve. Më 1975 ai nisi punën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës.
Ai do të mbahet mend për rolin e tij në dramën “Baca e Gjetjave”, “Çështja e Blertës” apo edhe te filmi “Flaka e Maleve”.
Zëri tipik dhe plastika e brendshme e bëjnë një aktor krejtësisht të veçantë dhe interesant. Profili i tij artistik ka qenë zakonisht i formuar për të luajtur role pozitive të karakterit malësor.
Hyseni është aktivizuar edhe në disa filma artistikë para viteve ‘90 dhe pas ndryshimit të sistemit dhe me role të tjera po në filma, teatër e komedi te ndryshme.
Në shfaqen e fundit, artisti solli një dramë duke qenë vetvetja.
Kapitullin e jetës së tij artistike, aktori e mbylli duke rrëfyer jetën si aktor por edhe si njeri.