Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi se koha nuk pret më dhe opozita duhet t’i japë fund regjimit.
PL angazhohet solemnisht të vendosë sundimin e ligjit e ti japë fund regjimit. Koha është tani për një marrëveshje sociale për të ndalur shpopullimin.
Sipas tij, sundimi i ligjit do të garantohet: nga rivendosja e shtetit të së drejtës dhe kushtetutshmëria, nga rivendosja e institucioneve të forta dhe të pavarura, nga llogaridhënja dhe ndëshkueshmëria, nga mirëqeverisja dhe meritokracia, nga liria ekonomike dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, nga punësimi me paga dinjitoze që mbulojnë kostot e larta të jetesës dhe nga lufta kundër varfërisë.
“Koha është tani për një “Marrëveshje të Re Sociale dhe Patriotike”, për të ndalur shpopullimin dhe emigracionin masiv të të rinjve tanë Shqipëria do t’i përkasë të rinjve…sepse një shoqëri dhe një popull pa rini është si një trup pa shpirt”, shtoi ai.
Fjala e Metës
Prandaj në këtë Konventë Zgjedhore të Partisë së Lirisë ne do të shpalosim Programin tonë politik, strategjinë, zgjidhjet tona, aksionin, ekipin e ri drejtues dhe mobilizimin jo vetëm opozitar por mbarë-kombëtar.
Ne jemi të vetëdijshëm, që në udhëkryqin e rrezikshëm ku ndodhet Shqipëria, lufta e vërtetë dhe e pa-kompromistë e qytetarëve është të zgjedhin mes diktaturës dhe lirisë, mes dëshpërimit dhe shpresës, mes varfërisë së tejskajshme dhe zhvillimit, mes skllavërimit modern për bukën e gojës dhe punësimit dinjitoz.
Kur të gjithë bëhemi bashkë nuk ka diktaturë dhe qeveri pakice që i mbijeton zemërimit dhe verdiktit popullor.
Prandaj, për Partinë e Lirisë, referendumi është manifestimi më sublim i demokracisë direkte dhe vullnetit të sovranit!
Kur pushteti autokratik vjedh votën e lirë, përdhos demokracinë dhe Kushtetutën e vendit, atëhere referendumi mbetet arma e vetme në dorën e sovranit!
Ne do ta rivendosim demokracinë dhe çlirojmë institucionet e grabitura, duke i rikthyer në shërbim të qytetarëve.
Nuk do të ketë kauza të mëdha dhe vendime strategjike për të ardhmen e vendit pa ushtrimin e vullnetit të sovranit përmes referendumit!
“Partia e Lirisë ka depozituar dy iniciativa ligjore në Kuvendin e Shqipërisë për të liberalizuar urgjent investimet për impiantet fotovoltaike me qëllim nxitjen e qytetarëve dhe bizneseve për ta zgjidhur vetë prodhimin e energjisë me panele diellore dhe për të injektuar energjinë e tepër të tyre elektrike, në sistemin kombëtar të energjisë.
Partia e Lirisë do të mbështesë fuqishëm të gjithë ata që do të investojnë për të rritur prodhimin vendas të energjisë, duke i hequr të gjitha pengesat burokratike, administrative dhe korruptive të regjimit aktual.
Ndërsa qeveria e Edi Ramës ka dështuar totalisht në menaxhimin e sistemit të energjisë elektrike, nga ana tjetër, kërkon tu vërë taksë të jashtëzakonshme prodhuesve privatë të energjisë elektrike, të cilët vetëm në vitin e fundit, i kanë kursyer shtetit mbi 250 milionë Euro, me energjinë e prodhuar prej tyre.
Dështim përbën edhe mosgazifikimi i vendit pas ndërtimit të gazësjellësit strategjik të TAP. Në 12 nëntor 2020 ka filluar operimin gazësjellësi i TAP.
Dështim përbën mos vendosja në punë e TEC-it të Vlorës.
Ne mbështesim propozimin e drejtë për zgjerimin e fashës deri në 1200 Kë, pasi fasha aktuale e qeverisë prek rreth 90-130 mijë familje shqiptare të shtresës së mesme.
Rilindja, ashtu sikurse me energjinë elektrike, ka ndjekur të njejtën politike mafioze edhe me çmimin e karburanteve, duke thelluar varfërimin e shqiptarëve.
Megjithëse Shqipëria është e pasur në karburante të prodhimit vendas, shqiptarët paguajnë karburantin më shtrenjtë se kudo në Europë.
Më shumë se edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, të cilët nuk janë prodhues nafte”, tha ai.
Meta ka shtuar gjithashtu se PL ka dërguar në Kuvend ligjin për heqjen e taksës së qarkullimit mbi naftën.
“Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend Ligjin për heqjen e taksës së qarkullimit mbi naftën, si një taksë absurde që rëndon xhepat e gjithë qytetarëve, përfshirë edhe pensionistëve, për shkak se çmimi i lartë i karburantit ka rritur kostot e prodhimit qoftë edhe të bukës.
Vetëm falë rritjes së çmimeve, Qeveria ka mbledhur qindra milionë Euro nga djersa dhe sakrificat e qytetarve, pa u dhënë atyre asnjë mbështetje, megjithëse këto para janë krijuar prej vetë shqiptarëve”, tha ai.
“Jetojmë në kohë krize të shumëfishtë ekonomike, sociale, energjetike, ushqimore dhe inflacioniste që po varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë…
Qytetarët tashmë e kanë kuptuar që kjo qeveri është vetë problemi dhe jo zgjidhja e kësaj krize.
Kujtojmë, se gjatë pandemisë dhjetëra mijëra qytetarë humbën vendin e punës dhe mijëra biznese falimentuan.
Ndërsa qeveritë e tjera mbështetën ekonomitë, qytetarët dhe bizneset e tyre me gati 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Rilindja u mjaftua vetëm me paketat e lëmoshës që në total nuk arritën as 1% e PBB-së.
Kriza energjetike është krizë korrupsioni dhe administrimi mafioz nga Rilindja e sistemit të energjisë elektrike”, tha Meta.