Fran Frrokaj është vetëdorëzuar në policinë e Lezhës pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest pas dënimit me 3 vite burg nga Gjykata e Apelit të Shkodrës.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës u dënua më herët nga Gjykata e Apelit së bashku me 15 persona të tjerë për tjetërsimin e pronave tek zona e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Pas vendimit, Fran Frrokaj është larguar nga gjykata pasi në atë moment nuk ishte lëshuar një urdhër-arresti për ndalimin e tij.
Vendimi i plotë i Apelit të Shkodrës
Mbi përfundimin e çështjes penale, në ngarkim të ish-kryetarit të bashkisë lezhë, Fran Frrokaj
Sot më datë 28.10.2022, në Gjykatën e Apelit Shkodër ka përfunduar gjykimi i çështjes penale në ngarkim të ish-Kryetarit të Bashkisë Lezhë dhe 16 të pandehurve të tjerë. Kjo çështje është kthyer nga Gjykata e Lartë për përsëritje të shqyrtimit gjyqësor mbi bazën e rekursit të ushtruar nga Prokurori. Në përfundim të gjykimit, njoftojmë se:
Gjykata e Apelit Shkodër me Vendimin Nr.222, datë 28.10.2022, ka vendosur:
1. Lënien në fuqi të Vendimit nr. 198, datë 17.09.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë me këto ndryshime:
2. Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, uljen me 1/3 të dënimit për të pandehurin z. Ardenis Haxhia, duke mbetur përfundimisht 1 vit burgim.
3. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur për të pandehurin z. A. Haxhia, duke e vendosur në provë për një periudhë prej 22 muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepra penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurës znj.J. Mema për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, sipas nenit 248 dhe 25 të Kodit Penal.
5. Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, uljen me 1/3 e dënimit të të pandehurës znj. J. Mema, duke mbetur përfundimisht 2 vjet burgim.
6. Deklarimin fajtor të të pandehurit z.R. Malotaj për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, e parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal, duke caktuar si masë dënimi për të pandehurin z. R. Malotaj 6 muaj burgim.
7. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin z. R. Malotaj, duke e vendosur në provë për një periudhë prej 12 muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepra penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.
8.Deklarimin fajtor të të pandehurit z.A. Djala për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal.
9. Deklarimin fajtor të të pandehurit z.E. Jakaj për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal.
10. Deklarimin fajtor të të pandehurit z.B. Cara për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal.
Deklarimin fajtor të të pandehurit z.F. Frrokaj për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, sipas nenit 248 dhe 25 të Kodit Penal, duke caktuar si dënim masën 3 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit z.E. Hafizi për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, sipas nenit 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur për të pandehurin z. E. Hafizi, duke e vendosur në provë për një periudhë prej 20 muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepra penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.
Deklarimin fajtor të të pandehurit z.G. Ndoka për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal, dhe bazuar në nenin 47 dhe 186/3 të Kodit Penal dënimin tij me 3 vjet burgim.
Pushimin e procedimit penal ndaj të pandehurit z. Gj. Ndoka për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
Me Vendimin Nr.228, datë 28.10.2022, Gjykata e Apelit Shkodër ka vendosur:
Ndreqjen e gabimeve materiale në pjesën dispositive të vendimit nr.222 datë 28.10.2022 të Gjykatës se Apelit Shkodër si më poshtë vijon:
1.Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit më burgim për të pandehurin F. Frroku, duke vënë në provë për pjesën e mbetur të dënimit me burgim për një periudhë kohe prej dy vitesh, me detyrimin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepra penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.
2.Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit më burgim për të pandehurin P. Lini, duke vënë në provë për pjesën e mbetur të denimit me burgim për një periudhë kohe prej dy vitesh, me detyrimin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepra penale dhe të mbaje kontakte te rregullta me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.
3. Ky vendim i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërse e vendimit nr.222 datë 28.10.2022 të Gjykatës se Apelit Shkoder.
4. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë Brenda 45 ditëve, bashkë me vendimin përfundimtar.
Bazuar në nenin 464 te K.Pr.Penale, dhe nenit 22 të Ligjit Nr.79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, nga ana e Prokurorisë së Apelit Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë është urdhëruar vënia në ekzekutim e këtij vendimi.