Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaron se qeveria po vijon konsultimet për Amnistinë Fiskale duke shtuar se do të përfshihen edhe rekomandimet e BE. Pas takimit me deputeten e Bundestagut Gjerman, njëkohësisht edhe nën kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate Gabriela Heinrich, Balla tha në konferencën e përbashkët se deri më tani qeveria ende nuk e ka një draft të amnistisë fiskale.
Deputetja e Bundestagut Gjerman, e cila ndodhet në Tiranë prej 2 ditësh, vlerësoi punën e Shqipërisë për integrimin në BE duke thënë se procesi edhe mund të përshpejtohet.
‘‘Shqipëria na ka treguar se me motivimin e vet, procesi mund të jetë dhe më i shpejtë. Ky proces nuk do të jetë i lehtë, ama vetëdija se do të sjellë përmirësime është proces i rëndësishëm dhe besoj se është avantazh shumë i madh për këtë vend’’, u shpreh Gabriela Heinrich.
Kryetari i grupit parlamentar socialist theksoi se forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë është me rëndësi të veçantë për rrugëtimin drejt BE.