Policia arrestoi presidenten e Shoqatës së Mjekëve Turke pasi ajo bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi pretendimet se ushtria turke përdori armë kimike kundër militantëve kurdë në Irakun verior, njoftuan mediat turke të mërkurën.
Dr. Sebnem Korur Fincanci, 63 vjeç, u arrestua me akuzën e shpërndarjes së “propagandës terroriste” si pjesë e një hetimi të nisur nga policia kundër terrorizmit, sipas zyrës së kryeprokurorit të Ankarasë.
Prokuroria tha se i ka kërkuar gjithashtu gjykatës shkarkimin e saj si kryetare e shoqatës.
Fincanci, një eksperte mjeko-ligjore, ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së saj duke dokumentuar torturat dhe keqtrajtimet dhe është një aktiviste kryesore për të drejtat e njeriut në Turqi. Ajo ka shërbyer si presidente e Fondacionit për të Drejtat e Njeriut të Turqisë.
Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu dhe media të tjera raportuan se ajo u arrestua në Stamboll pas një bastisjeje në mëngjes herët në shtëpinë e saj dhe po sillej në Ankara për t’u marrë në pyetje.
Javën e kaluar, zyrtarët turq kundërshtuan me forcë pretendimet e militantëve kurdë se ushtria turke përdori armë kimike kundër Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, në Irakun verior, duke këmbëngulur se ushtria nuk ka armë të tilla në inventarin e saj.
Në komentet për një gazetë pro-kurde, Fincanci tha se ajo inspektoi një video që pretendonte të tregonte përdorimin e armëve kimike dhe bëri thirrje për një “hetim efektiv”. Ajo më vonë sqaroi në një intervistë me uebsajtin e lajmeve në gjuhën turke Independent, se ajo nuk tha se besonte se ishin përdorur armë kimike.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e akuzoi atë për shpifje ndaj forcave të armatosura të Turqisë dhe për fyerje të vendit të saj “duke folur gjuhën e organizatës terroriste”.
Ai u zotua të ndërmarrë veprime për të pastruar Shoqatën Mjekësore Turke dhe organizatat e tjera profesionale nga “mbështetësit e organizatës terroriste”.
Devlet Bahçeli, kreu i një partie nacionaliste që është aleate me partinë në pushtet të Erdoganit, gjithashtu kritikoi ashpër Fincancin gjatë një fjalimi të martën, duke kërkuar që asaj t’i hiqet shtetësia turke dhe të mbyllet shoqata.
Shoqata e Mjekëve Turke tha se Fincanci ishte viktimë e një “fushate linçimi” dhe tha se ndalimi i saj ishte i papranueshëm. Fondacioni i të Drejtave të Njeriut të Turqisë bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të saj.
Ndalimi i mjekut erdhi një ditë pasi policia kreu bastisje në disa qytete turke dhe arrestoi 11 gazetarë që punonin me mediat pro-kurde.
Policia tha se gazetarët u arrestuan për lajme ose përmbajtje të tjera “që nxisin publikun në urrejtje dhe armiqësi” dhe akuzoi median e tyre se kishte lidhje me PKK.
PKK ka udhëhequr një kryengritje të armatosur kundër shtetit turk që nga viti 1984. Grupi konsiderohet një organizatë terroriste në Turqi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Kritikët thonë se ligjet e gjera të Turqisë kundër terrorizmit, së bashku me një ligj të ri të paqartë të miratuar për të luftuar dezinformimin, kanë çuar në një goditje ndaj lirisë së shprehjes.