Në buxhetin e vitit 2023 të Ministrisë së Brendshme janë parashikuar 7.6 herë më shumë investime në teknologji krahasuar me vitin 2022. Shifrat i konfirmoi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë një prezantimi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend. Çuçi tha se me fonde të vetë ministrisë janë 547 milionë lekë ndërsa me fonde të AKSHIT janë 278 milionë lekë. Sipas tij rritja e fondeve për teknologjinë dhe sistemet dixhitale ka ardhur pas sulmeve kibernetike nga Irani.
“Pavarësisht se jemi në një situatë të vështirë të diktuar nga efektet e krizës që ka prodhuar lufta në Ukrainë, me kryefjalë energjinë, e ku inflacioni i rritur kërcënon ekonomitë e shumë vendeve, përfshi edhe ekonominë tonë, ia kemi dalë mbanë që Buxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Brendshme të jetë më i lartë se i vitit që po mbyllet. Ne kemi alokuar pjesën më të madhe të buxhetit për Policinë e Shtetit, plot 19.5 miliardë lekë ose një rritje 16% krahasuar me buxhetin e vitit 2022. Si asnjëherë më parë investimet në Policinë e Shtetit, të cilat zënë pjesën më të madhe në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, do të jenë në masën 56% më shumë se viti aktual. Fokusi me këtë buxhet të ri është edhe më i përqendruar tek përmirësimi i infrastrukturës teknologjike dhe sistemeve dixhitale me standardet me të mira dhe rritjen e parametrave të sigurisë kibernetike për të parandaluar dhe përballuar sulmet apo incidentet kibernetike”, tha ministri Çuçi.
Ministri i Brendshëm u ndal gjithashtu edhe tek rritja e pagave për rreth 75% të trupës policore.
“Kemi bërë një rritje prej 15% nga e cila përfitojnë jo pak por rreth 75% e trupës policore. Kjo është një rritje dyfish më shumë krahasuar me pjesën tjetër të administratës që përfitoi vetëm 7%, por plotësisht e justifikuar sepse punonjësit e Policisë së Shtetit përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve”, tha ministri Çuçi.
Po kështu gjatë vitit 2023 janë parashikuar edhe rreth 110 milionë lekë për ngritjen e një strukture të re për të rritur sigurinë dhe kontrollin në zonat bregdetare.