Avokati shqiptar, Gentian Alimadhi ka rrëfyer momentet e tmerrit që ka përjetuar me familjen e tij mbrëmjen e 4 Korrikut në Filadelfia. Disa persona tentuan që të kryenin një sulm gjatë një koncerti që po mbahej në kuadër të festimeve për Ditën e Pavarësisë në një park të vendit.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur viktima. Për “Abc e mëngjesit”, ai tregoi se kishte dalë me gruan, djalin dhe vajzën e tij për të ndjekur koncertin ku po këndonte dhe shqiptarja, Ava Max. Avokati rrëfeu se ngjarja kishte ndodhur rreth 300 metra nga vendi ku po qëndronte ai me familjarët e tij.
“Mesa dëgjuam nga lajmet ka ndodhur sapo kanë filluar fishekzjarret, nuk kemi dëgjuar të shtëna sepse fishekzjarret vazhduan dhe pas vrapit të njerëzve. Policia lajmëroi. Unë dhe vajza ime ishim të shkëputur disa metra nga gruaja dhe djali, po shikonim disa helikopterë që po ecnin me shumë shpejtësi. Thamë mbase janë duke filmuar. Më pas ishte policia që lajmëroi që të largohemi dhe erdhi jehona deri te pjesa jonë. Unë isha i qetë sepse mendoja se ishte fake. Pasi bëmë dy kilometra vrap, pashë disa policë dhe i pyeta nëse është e vërtetë. Vajza dhe gruaja ishin përpara dhe në një moment i humba. Pashë nga lajmet që mund të kem qenë 300 metra larg vendit ku ndodhi incidenti. Është e çuditshme sepse thonë se një nga policët i ka kaluar plumbi në kapele. Kisha një parandjenjë nga ajo që ndodhi në drekë në Chikago. Djali nuk donte të vinte, një insistim i tillë nuk më pëlqeu dhe thashë mos ta marrim.” tha ai.