Elon Musk është njeriu më i pasur në histori. Bloomberg vlerëson se pasuria neto e tij është mbi 336 miliardë dollarë. Musk u lind në Afrikën e Jugut në vitin 1971 dhe është fëmija i parë i një inxhinieri dhe një nutricionisteje e modeleje.
Sikurse vetë ka treguar, Musk ishte një fëmijë i ndrojtur, i bullizuar nga të tjerët dhe i zhytur në botën e kompjuterëve. Ai vuan nga sindroma Asperger, e cila është një nga grupet e çrregullimeve neurologjike të njohura si çrregullime të spektrit të autizmit (ASD).
Por, falë aftësive të jashtëzakonshme kompjuterike, në moshën 12-vjeçare ai krijoi dhe shiti për 500 dollarë një lojë elektronike të quajtur “Blastar”. Gjeniu nga Afrika e Jugut krijoi më pas bazat e Paypal, kompanisë hapësinore “Space X” që synon të kolonizojë Marsin dhe “Teslas”, prodhuesit të makinave elektrike.
Elon Musk është martuar dhe divorcuar dy herë. Ai ka gjashtë djem, pesë nga martesa me Justine Wilson. Më i vogli prej fëmijëve të tij erdhi në jetë në maj të vitit 2020, nga romanca e tij me këngëtaren kanadeze Grimes.
Ngjitja e Musk në krye të listës së njerëzve më të pasur në botë, erdhi pasi kapitali i kompanisë së themeluar prej tij, Tesla, kaloi 1 trilion dollarë. Kjo arritje e bën atë kompaninë e prodhimit të makinave më të vlefshme në botë, me diferencë të madhe nga ndjekësit. Për krahasim, në vend të dytë ndodhet Toyota, vlera e së cilës arrin në 280 miliardë dollarë.
Musk ka zbuluar se plani i tij më ambicioz është që të dërgojë njeriun e parë në Mars brenda vitit 2026. Kreu i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara deklaroi se 2% e pasurisë së Musk mund t’i japë fund urisë në botë, dhe ky i fundit sfidoi pretendimin, duke thënë se është i gatshëm të dhurojë një pjesë të pasurisë së tij për t’i dhënë fund krizës së urisë në botë, mjafton që Kombet e Bashkuara (OKB) t’i vërtetojë se si 6 miliardë dollarë do t’i japin fund krizës.
Kur Elon Musk u shpall për herë të parë si njeriu më i pasur në planet, reagimi i tij ishte i pazakontë. Musk tha vetëm: “Sa e çuditshme”, e ndjekur më pas nga një “Mirë, rikthehemi në punë!”