26 Tetor 1879- Lind një nga udhëheqësit kryesorë të Revolucionit Boshlevik në Rusi, Leon Trotsky
Leon Trotsky ishte një marksist revolucionar, teoricien dhe politikan sovjetik. Fillimisht mbështeti fraksionin e Menshevikëve brenda Partisë Socialiste Demokratike të Rusisë, ndërsa më pas iu bashkua bolshevikëve, pak para Revolucionit të Tetorit 1917, duke u bërë menjëherë një nga udhëheqësit kryesorë brenda Partisë Komuniste.
Në vitet e para të Bashkimit Sovjetik shërbeu fillimisht si Komisar i Popullit për Punët e Jashtme, dhe më vonë si themelues dhe komandant i Ushtrisë së Kuqe, duke spikatur në fitoren e bolshevikëve në Luftën Civile Ruse (1918-1923). Pasi udhëhoqi një betejë të dështuar të një fraksioni të majtë kundër politikave dhe ngjitjes në pushtet të Josif Stalinit në vitet 1920, dhe kundër rolit në rritje të burokracisë në Bashkimin Sovjetik, Trocki u rrëzua nga pushteti në tetor 1927), u dëbua nga partia një muaj më pas, dhe u internua në Alma-Ata të Kazakistanit janarin e 1928-ës, për t’u larguar përfundimisht nga Bashkimi Sovjetik një vit më pas.
Si drejtues i Internacionales së Katërt, Trotsky vazhdoi nga mërgimi t’i kundërvihet burokracisë dhe krimeve staliniste në Bashkimin Sovjetik. Më 20 gusht 1940, ai vritet nga Ramon Mercader, një agjent i shërbimit sekret rus NKVD. Mercader, i lindur në Spanjë, e goditi Trotsky me një çekiç në kokë, sipas udhëzimeve të vetë Stalinit.
Trotsky u zhduk nga librat e historisë nën sundimin e Stalinit, dhe qe një nga figurat e pakta politike sovjetike, që nuk u rehabilituan nga qeveria sovjetike nën drejtimin e Nikita Khruschev në vitet 1954-1964. Vetëm në fund të viteve 1980, librat e tij u lejuan të botoheshin në Bashkimin Sovjetik.
26 Tetor 1916 – Lind presidenti më jetëgjatë i Francës François Mitterrand
Mitterrand ishte president i Francës nga viti 1981 deri më 1995-ën. Duke reflektuar ndikimet familjare, Mitterrand e filloi jetën politike duke milituar në të djathtën nacionaliste katolike.
Ai shërbeu në fillim edhe rradhët e regjimit kolaboracionist të Vishisë, por më pas iu bashkua Rezistencës, duke kaluar në kampin e majtë, dhe mbajti disa herë poste ministrish nën Republikën e Katërt.
Ai kundërshtoi themelimin e Republikës së Pestë nga De Gaulle. Kur u zgjodh president, Mitterrand ftoi Partinë Komuniste në qeverinë e tij të parë, një veprim tejet i diskutueshëm në atë kohë. Por në vend se të përfitonin nga pushteti, komunistët patën një rënie të mbështetjes së tyre elektorale, ndaj dhe u larguan nga kabineti qeveritar në vitin 1984. Në fillim të mandatit të tij të parë, Mitterrand ndoqi një program ekonomik radikal, duke përfshirë shtetëzimin e kompanive kryesore, por pas dy vjetësh, me një ekonomi në krizë, ai ndryshoi drejtim, duke lëvizur më djathtas.
26 Tetor 1947 – Lind ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Rodham Clinton
Hillary Diane Rodham lindi në Çikago. Ajo u rrit në një familje Metodiste. Babai i saj, Hugh Ellsëorth Rodham, ishte fëmijë i dy emigrantëve nga Uellsi dhe Anglia; ai menaxhoi një biznes të vogël të suksesshëm në industrinë e tekstilit. Nëna e saj, Dorothy Emma Hoëell, me një origjinë të përzier angleze, skoceze dhe franceze ishte shtëpiake.
Në shkollë ajo ishte nxënësja e preferuar e mësuesve, duke u angazhuar në sporte të ndryshme si noti dhe bejsbolli. Pasi u diplomua për jurisprudencë, Clinton nisi të militonte në rradhët e Partisë Republikane, ndërsa më pas duke mbojtur shumë nga kauzat sociale të së majtës, u anëtarësua në Partinë Demokratike. Ajo u bë zonja e parë e SHBA-së në vitin 1993, kur bashkëshorti i saj Bill Clinton u zgjodh president për dy mandate rradhazi.
Pasi la Shtëpinë e Bardhë, Clinton zgjidhet për disa mandate senatore e Nju Jorkut. Në vitin 2008 dështon të fitojë nominimin e demokratëve si kandidate për president, duke humbur garën brenda partisë përballë Barack Obama-s, ndërsa 8 vjet më vonë humbet edhe garën presidenciale përballë rivalit republikan Donald Trump.
26 Tetor 1979 – Presidenti i Koresë së Jugut, Park Chung Hee, vritet nga shefi i shërbimit të tij të inteligjencës, Kim Jea Kyu. Pesë persona të tjerë, përfshirë truprojen e presidentit, mbetën gjithashtu të vrarë. Incidenti ndodhi në selinë qendrore të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Koreane, gjatë një darke të organizuar nga Kim për nder të kreut të shtetit.
Një deklaratë zyrtare e qeverisë, zbuloi se gjatë darkës shpërtheu një debat i ashpër mes Kim Jae Kyu dhe truprojës kryesore të presidentit, kur Kim nxorri armën e vet dhe pistoletë në drejtim të tij. Presidenti ndërhyri, duke marrë goditjen fatale. Në vend u shpall ligji ushtarak, ndërsa kryeministri u emërua me urgjencë në postin e presidentit. SHBA i urdhëroi trupat e saj në Korenë e Jugut, të ishin në gatishmëri për çdo provokim të mundshëm nga Koreja e Veriut.
26 Tetor 1962 – Udhëheqësi komunist i Kubës, Fidel Castro, i shkruan një letër Nikita Khruschev përmes së cilës i kërkon Bashkimit Sovjetik të sulmojë SHBA-në, nëse kjo e fundit pushton ishullin.
26 Tetor 1956 – Përshkallëzohet situata në Revolucionin Hungarez. Kryeministri Imre Nagy, apelon për qetësi ndërsa në vetëm 2 ditët e para të luftimeve mes demonstruesve dhe Ushtrisë Sovjetike, flitet për 2000-5.000 të vrarë.
26 Tetor 1959 – Bashkimi Sovjetik zbulon për herë të parë imazhet e anës së pasme të Hënës. Fotografitë ishin marrë rreth 3 javë më parë nga anija hapsinore “Lunik 3”.
26 Tetor 1905 – Norvegjia nënshkruan një traktat për shkëputjen nga Suedia. Ajo zgjedh princin Çarls të Danimarkës si mbretin e saj të ri.
26 Tetor 1918 – Komandanti suprem i ushtrisë gjermane, gjenerali Erich Ludendorff, jep dorëheqjen në shenjë proteste ndaj kushteve me të cilat qeveria gjermane ra dakord për të negociuar armëpushimin me Aleatët.
26 Tetor 1957 – Qeveria sojetike njofton se Marshalli Georgy Zhukov, heroi më i shquar ushtarak i vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është liruar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes. Khruchev e akuzonte Zhukov për nxitjen e “kultit të personalitetit”, dhe e shihte atë si një kërcënim për popullaritetin e vet.
26 Tetor 2001 – Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, dekreton Aktin Patriot, duke zgjeruar në masë të madhe aftësinë e inteligjencës dhe agjencive ligjore për të shfrytëzuar përgjimet dhe mekanizmat e mbikqyrjes për të gjurmuar elementët e dyshuar si terroristë.