Ministrja e Brendshme e Britanisë dha dorëheqjen duke e bërë edhe më të pasigurt qëndrimin e kryeministres britanike Liz Truss.
Largimi i Suella Braverman, pasi shkeli kodin ministror, tregon se Liz Truss është dobësuar pasi ka humbur dy nga ministrat e saj më të vjetër në kabinet, në më pak se një javë.
Braverman u shpreh se ka dërguar nga e-maili i saj personal dhe jo zyrtar një draft për migracionin, dhe se këtë e-mail ia dërgoi një kolegu në Parlament, që nuk ishte i autorizuar për ta parë.
“Është e qartë për të gjithë se po kalojmë një kohë të trazuar. Unë kam shqetësime për drejtimin e kësaj qeverie. Jo vetëm që ne kemi thyer premtimet kryesore votuesve tanë, por kam pasur shqetësime serioze për angazhimin e kësaj qeverie” , është shprehur Braverman.
Vendin e Suella Braverman do ta zërë ish-ministri Grant Shapps i cili pranoi se qeveria po përballet me shumë trazira.
Truss erdhi në pushtet në datën 5 shtator të këtij viti. Në fjalimin e saj në parlament iu tha ligjvënësve se i vinte keq për gabimet që kishte bërë, por nuk do të hiqte dorë.