Parlamenti Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare që të lejojnë menjëherë Rumaninë dhe Bullgarinë t’i bashkohen zonës Shengen.
Lajmi është bërë i ditur nga shërbimi për shtyp i Kuvendit.
Në një rezolutë të miratuar të martën, eurodeputetët thanë se Këshilli i BE-së duhet të vendosë për pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Shengen deri në fund të vitit 2022.
Pranimi i këtyre vendeve duhet të sigurojë heqjen e kontrolleve ndaj qytetarëve në të gjithë kufijtë e brendshëm të të dyja vendet në fillim të vitit 2023.
Duke vënë në dukje se zona Shengen është “një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Evropian”, eurodeputetët kritikojnë Këshillin e BE-së për mosvendosjen për pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë, megjithëse të dy vendet i kanë përmbushur prej kohësh kushtet e nevojshme.
Sipas deputetëve të Parlamentit Evropian, mbajtja e kontrollit të kufijve të brendshëm është diskriminuese dhe ndikon seriozisht në jetën e punëtorëve të lëvizshëm dhe të qytetarëve.
Aktualisht, të gjitha vendet anëtare të BE-së, me përjashtim të Bullgarisë, Kroacisë, Qipros, Irlandës dhe Rumanisë, janë pjesë e zonës Shengen, ku përfshihen edhe vendet joanëtare të BE-së – Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni.
Pranimi i vendeve të reja në Shengen kërkon një vendim unanim të Këshillit të BE-së.