Rikthimi te strategjia afatmesme fiskale, sipas kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk do të ndodhë para gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
Propozimet e qeverisë për buxhetin e ri, që kanë dalë për konsultim publik nuk adresojnë shqetësimet e Fondit në lidhje me tkurrjen e reduktimeve dhe përjashtimeve nga TVSh-ja, akciza dhe taksat e tjera.
Fushat ku zbatohet TVSh e reduktuar janë investimet në agroturizëm, investimet strategjike në hoteleri me pesë yje dhe brande ndërkombëtare e deri te sporti.
FMN ka rekomanduar reduktimin e këtyre përjashtimeve dhe rikthim të strategjia afatmesme e të ardhurave, me objektiv një balancë primare zero për vitin e ardhshëm dhe sufiçit 1.5 për qind për 2024.
Shqipëria është me të ardhurat më të ulëta të mbledhura në taksat në rajon në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Rritja e këtyre të ardhurave, sipas FMN, do të krijojë hapësira që qeveria të vazhdojë mbështetjen e shtresave në nevojë të goditura nga kriza pa rritur borxhin.