Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Klement Çalës për të dalë nga regjimi i posaçëm “41 BIS”.
Ai ishte dënuar me një afat 1-vjeçar së bashku me Eldi Çalën dhe Viktor Ymerin (Viktor Bajraktari).
Të burgosurit kishin të drejtë ta kundërshtonin vendimin e autoriteteve shqiptare në Gjykatën e Posaçme.
Në këtë regjim vendosen të burgosurit me rrezikshmëri të lartë apo ata që thyejnë rregullat gjatë paraburgosjes ose burgosjes.
Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja, janë disa nga figurat e krimit, të cilët i janë nënshtruar më herët këtij regjimi.
Ky regjim i posaçëm ka për qëllim parandalimin e krimeve si shmangien e kontakteve të këtyre të dënuarve me organizata kriminale.
“41 BIS” lejon takimin vetëm me familjarët ose të drejtën e një bisede telefonike deri në 10 minuta një herë në muaj.
Gjatë regjimit, ndalohet përdorimi i sendeve apo parave që i burgosuri mund të marrë nga jashtë.
Në të përfshihet edhe reduktimi i qëndrimit në ajrim deri në dy orë.
Vëllezërit Çala (Klement dhe Eldi – AP) janë dënuar për grabitjen e avionit me para në Aeroportin e Rinasit tre vite më parë.
Ata u arrestuan në mars të vitit 2020 dhe Klement Çala akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale.
Më 9 prill të vitin 2019 një grup personash arritën që të merrnin sasinë e parave të transportuara me blinda nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri jashtë shtetit nëpërmjet Rinasit.
Ndërsa Viktor Ymeri akuzohet se është pjesë e grupit që vranë Vajdin Lamajn.
Ymeri njihet si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë dhe konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë.
Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar së bashku në qershor të vitit 1999 me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.