Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për 18-vjeçaren Martina Pajollarit, e cila akuzohet se ka qenë bashkëpunëtore në vrasjen e të riut Martin Çeços me të cilin thuhet se ka pasur një lidhje intime.
Burime bëjnë me dije, se Martina Pajollari është shprehur në seancë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen madje ka shkuar më tej kur tha se gjithçka që ka thënë para grupit të hetimit e ka bërë nën presionin e Policisë.
Për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit deri më tani janë arrestuar 4 persona. Më herët ranë në prangat e policisë, kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj si dhe Bleti Angjo.
Avokati i kushërinjve Mollaj, sapo është njohur me masën e sigurisë së Martina Pajollarit, ka kërkuar sigurimin e dëshmisë së 18-vjeçares pasi sipas tij, ajo ka dhënë dëshmi kontradiktore që përplasen me njëra-tjetrën. Dëshmi të cilat gjithnjë sipas avokatit mund të kenë ardhur edhe nga faktorë të ndryshëm.
Rreth orës 23:00 të datës 12 qershor 2022, i riu Martin Çeço doli nga banesa e tij për të mos u kthyer më. Ai u gjet i vrarë në një rezervuar, ku më parë ishte mbytur me litar dhe më pas ishte hedhur në ujë për të inskenuar një vetëvrasje.