Protestueset, të cilët e quanin veten eko-aktivistë të grupit Just Stop Oil, derdhën supë me domate mbi pikturën e Vincent van Gogh “Sunflowers” në Galerinë Kombëtare në Londër.
Këtë e raporton The Guardian.
Një gulçim dhe një klithmë “Oh Zoti im!” janë dëgjuar në momentin kur dy aktivistë të rinj kanë derdhur lëng mbi pikturën. Fatmirësisht, telajo nuk u dëmtua, pasi ishte nën një xham mbrojtës. Më pas nxorrën ngjitësin, e aplikuan në duar dhe u “ngulën” në mur pranë pikturës.
“Çfarë është më e shtrenjtë – arti apo jeta? A vlen më shumë se ushqimi? Më shumë se drejtësia? Jeni më i shqetësuar për mbrojtjen e një pikture apo mbrojtjen e planetit dhe njerëzve tanë? Kriza e kostos së jetesës është pjesë e kostos së krizës së naftës , karburanti është i paarritshëm për miliona familje të ftohta dhe të uritura. Ata nuk kanë mundësi as të ngrohin një kanaçe supë”, tha një nga aktivistët.
Punonjësit e Galerisë Kombëtare pastruan me shpejtësi ambientet.
Vizitorët në Galerinë Kombëtare kishin ndjenja të përziera për aksionin. Një burrë, i cili nuk pranoi të emërohej, tha se e kuptonte arsyen e protestës, por ishte i shqetësuar për “një vepër të bukur arti që përfaqëson më të mirën e njerëzimit”.
Grupi Just Stop Oil ka organizuar protesta në rrugët në qendër të Londrës për dy javët e fundit, duke zemëruar shoferët dhe udhëtarët, por veprimi i së premtes ishte një përshkallëzim i taktikave të tij.
Piktura e famshme e artistit holandez nga viti 1888, vlerësohet në 72.5 milionë paund.