Rezultatet e regjistrimit (censusit) kanë treguar se për herë të parë në Irlandën e Veriut, numri i katolikëve është më i madh se protestantët.
Për këtë shkruan agjencia Reuters.
Ky ndryshim erdhi një shekull pas krijimit të vendit të Irlandës Veriore për të ruajtur një shumicë pro-britanike, protestante “unioniste” si një kundërpeshë ndaj shtetit të ri të pavarur, kryesisht katolik, irlandez në jug.
Në atë kohë, popullsia ishte e ndarë në rreth dy të tretat protestante dhe një të tretën katolike.
Të dhënat nga regjistrimi i vitit 2021 treguan se 45.7% e të anketuarve identifikohen si katolikë ose janë rritur katolikë, krahasuar me 43.5% të të anketuarve që identifikohen si protestantë. Regjistrimi i mëparshëm i vitit 2011 tregoi se protestantët ishin më shumë se katolikët – 48% deri në 45%.
Ndarja fetare e Irlandës së Veriut mund të gjurmohet në shekullin e 17-të, kur kolonët protestantë nga Skocia dhe Anglia u “mbollën” në pjesën verilindore të ishullit për të forcuar autoritetin e kurorës angleze.
Para marrëveshjes së paqes të vitit 1998, më shumë se 3,000 njerëz u vranë në tre dekada luftime midis militantëve nacionalistë irlandezë katolikë që kërkonin një Irlandë të bashkuar dhe besnikëve protestantë pro-britanikë dhe ushtrisë britanike.
Demografët kanë parashikuar prej kohësh se katolikët, të cilët priren të jenë më të rinj dhe kanë nivele më të larta të lindjeve, mund të përbëjnë shumicën e votuesve brenda një brezi.
Një pyetje tjetër e regjistrimit zbuloi se 32% e të anketuarve e konsideronin veten ekskluzivisht britanikë, nga 40% në 2011, dhe 29% e konsideronin veten irlandez, nga 25% më parë. Një tjetër 20% thanë se ishin irlandez verior.