Në kushtet e një krize energjitike dhe në vjeshtë pritet përkeqësimi i saj, ministrja Belinda Balluku ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi. Në një video të ndarë në rrjetet sociale, Balluku i këshillon qytetarët që të kursejnë energjinë.
Në videon jepen rekomandime sesi të përdoret lavatriçja. Këshillat përfshijnë që të përdoret sa më pak gjatë javës dhe rrobat të lahen me 30 gradë.
“Kursejmë energjinë që ta kemi!” shkruan Balluku.
Çmimi i energjisë elektrike ka arritur nivele rekord gjatë së hënës në bursë. Një megavator është shitur deri në 800 euro në orare piku duke regjistruar rritje drastike. Ndërkohë pas anulimit të disa tenderave Korporata Elektro Energjitike Shqiptare ka blerë rreth 3600 MwH energji elektrike me një vlerë prej 2 milion eurosh.
Kjo sasi është më e vogël se ajo e kërkuara në hapjen e procedurave ndërsa është blerë me një çmim mesatar që varion sipas fashave nga 525-671 euro megavatori.
Qeveria ka vendosur të rikthejë fashat për faturimin e energjisë elektrike që prej muajit tetor. Të gjithë familjarët që do tejkalojnë fashën prej 800këh do ta blejnë energjinë me çmim tregu. Ndërkohë pritshmëritë janë se niveli i ujit në kaskadë do përmirësohet nga reshjet e vjeshtës.