Një i mitur shqiptar, i shoqëruar nga dy bashkëpunëtorë nuk i është bindur policisë greke në kufirin greko-shqiptar në Kostur duke përplasur dy automjete të policisë dhe duke rrezikuar jetën e policëve.
I mituri nën drejtimin e një fuoristrade “Mercedes-Benz” ML, nuk i është bindur thirrjes së policisë greke për të ndaluar, ka shtuar shpejtësinë dhe është futur në sens të kundërt në rrugë duke përplasur dy automjete të policisë greke.
Forca të shumta e kanë rrethuar dhe kanë arritur ta ndalojnë automjetin. Në drejtim është gjetur shtetasi shqiptar i mitur dhe pasagjerë dy shqiptarë të tjerë, një grua 41-vjeçare dhe një mashkull 49-vjeç. Ky i fundit rezulton person në kërkim në Greqi nga Prokuroria e Patrës dhe ajo e Athinës.
Gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur dhe sekuestruar 2 çanta që përmbanin 21 pako me 31 kg marijuanë, të cilat ishin ngarkuar në kufirin e gjelbër. Janë sekuestruar edhe 3 celularë me 5 karta SIM. Nga kontrolli i mjetit rezultoi se targat i përksinin një automjeti tjetër.