Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Rebani Jaupi ka publikuar masat për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë, gjatë zhvillimit të Samitit të BE-së, më datë 06.12.2022, në Tiranë.
Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;
Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;
Rruga “Dervish Hima”;
Rruga “Asim Zeneli”;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.
Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.
Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm levizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.
Theksohet se kufizimet e mësipërme përbëjnë perimetrin e sigurisë së Samitit dhe për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.
Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;
Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti” deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.