Viti 2023 u konfirmua si viti më i ngrohtë kalendarik sipas të dhënave globale të temperaturës që nisin nga 1850. Ky vit kishte një temperaturë mesatare globale prej 14.98 gradë celsius apo 0.17 gradë më shumë se viti tjetër me vlerën më të lartë, që është 2016.
Temperaturat në Europë ishin mbi mesataren për 11 muaj gjatë vitit 2023 dhe shtatori ishte muaji më i ngrohtë në histori. Këta janë disa nga treguesit që Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus, komponenti i vëzhgimit të Tokës i programit Hapësinor të Bashkimit Europian, publikoi në ditët e para të janarit.
Alarmi se ky nuk është viti i fundit me këta tregues, por viti i parë në një terren të rrezikshëm, e ka kthyer vëmendjen dhe nevojën për reflektim mbi ndryshimet klimatike në kryefjalë të institucioneve ndërkombëtare.
Shqipëria, ashtu si një pjesë e mirë vendeve u prek vitin e shkuar nga valë të të nxehtit me temperatura të larta, duke bërë të qartë se ashtu si të gjithë, do të vuajmë pasojat. Treguesit e ndryshimeve klimatike kanë nisur të manifestohen më herët në vendin tonë edhe në reshjet mesatare vjetore të shiut, intensitetin e tyre apo praninë e mungesën e dëborës.
Në aspektin e ngushtë, vendet po reflektojnë me masa mbi zbutjen e rreziqeve që vijnë nga ndryshimet klimatike, teksa në rang ndërkombëtar janë bashkuar në nisma ku rezultatet e arritura mbeten në pikëpyetje.
A është gati sot Shqipëria për t’u përballur me rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike? Cilët janë sektorët që preken dhe masat që mund të merren për të zbutur efektet?
Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën dhe objektivat
Në vitin 2021, qeveria miratoi një Plan të posaçëm për Energjinë dhe Klimën, që parashtron rrugën deri në vitin 2030. Fokusi më kyç në këtë dokument duket se lidhet më shumë me energjinë dhe arritjen e objektivit të sigurisë së furnizimit sesa me elemente të klimës, por sigurisht disa masa kanë ndikim edhe në atë aspekt siç është përdorimi i lëndëve djegëse fosile.
Plani parasheh rritjen e investimeve në energjinë diellore, zgjerimin e kapaciteteve “hidro”, përdorimin e zgjeruar të gazit, për të cilin, deri më tani, edhe pse projektet janë të shumta praktikisht, nuk ka asnjë element konkret.
Subvencionimi në funksion të uljes së dekabonizimit të lidhura me sektorë si transporti, ku ka një përpjekje drejt linjave të gjelbra si dhe masa në sektorin e bujqësisë.
Në vetvete, objektivat kombëtare, plani i ka përmbledhur në pesë dimensione. Së pari është dekarbonizimi, së dyti eficienca e energjisë, së treti siguria e energjisë, së katërti tregut i brendshëm i energjisë dhe së pesti, ai i kërkimit, novacionit dhe konkurrueshmërisë.
Për çështjen e energjisë dhe klimës është në funksion një grup ndërministror që koordinon masat dhe ku raportohet mbi ecurinë.
Institucionet e reagimit, ku ndodhemi sot me emergjencat
Rritja e intensitetit të reshjeve, ku në një hark kohor të shkurtër sasia e shiut të rënë është e lartë ka rritur rrezikun e përmbytjeve në vend. Përmbytjet po bëhen gjithmonë e më të shpeshta në qytete, ku kryeqyteti nuk bën përjashtim.
Po kështu temperaturat ekstreme nxisin zjarret të cilët, viteve të fundit, janë kthyer në problematikë, madje në verën e vitit 2022 u kërkua ndërhyrja e Mekanizimit Europian të Mbrojtjes Civile për shkak të pamundësisë për të përballuar këtë emergjencë.
Në atë kohë, në dy muaj, u aktivizuan mbi 200 vatra zjarri në 42 bashki të vendit. Po cila është panorama që ka sot Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile? Në një intervistë për “Monitor”, ky institucion pranon se kuadri ligjor është thuajse i plotësuar, ku një pjesë e mirë e dokumenteve kryesore dhe akteve nënligjore janë miratuar.
Disa të tjerë mbeten ende në proces. Ndërkohë në strategjinë kombëtare të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë, Shqipëria ka përfshirë edhe elementin që lidhet me ndryshimet klimatike.
“Marrja në konsideratë e ndryshimeve klimatike ka ndikuar drejtpërdrejt dokumentin e Vlerësimit të Riskut nëpërmjet: simulimit të skenarëve më afatgjatë për matjen e riskut apo rivlerësimit të koeficentëve në sistemin e pikëzimit që rendisin riskun.
Ky ndikim është dhënë nga faktorët kryesorë: temperatura, reshjet dhe rritja e nivelit të detit (SLR). Për shembull: Ndryshimet e parashikuara në modelet e reshjeve në muajt e dimrit, vjeshtës dhe pranverës rrisin rrezikun e përmbytjeve të lumenjve”, – nënvizon Agjencia.
Nisur nga kjo, fokusi i Agjencisë ka qenë tek investimet në funksion të zvogëlimit të rrezikut, duke ndërhyrë në ura, rrugë, rrëshqitje dhe duke numëruar disa dhjetëra projekte në vitet 2022-2023. Ndërkohë të angazhuar në aspektin e reagimit në hallkën institucionale janë edhe njësitë e pushtetit, vendor me të cilat Agjencia ka disa projekte në proces.
“Shkëmbimi i informacionit dhe gatishmëria nga njësitë përbërëse të AKMC në raport me strukturat e qeverisjes vendore ka lehtësuar përmbushjen e proceseve të punës dhe po sjell koordinim më eficient edhe në drejtim të krijimit të bazës së të dhënave të humbjeve nga fatkeqësitë.
Paralelisht, me proceset e planifikimit strategjik, ne po rrisim gjithashtu kapacitetet tona të përgjigjes, duke modernizuar dhe duke forcuar kapacitetet për shërbimin tonë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Një sërë projektesh me fokus forcimin operacional do të nisin zbatimin gjatë këtij viti”, – nënvizon AKMC./ Monitor