Prokuroria e Durrësit ka dalë me një njoftim lidhur me vetëvrasjen e Bedrie Lokës, 41-vjeçarja nga Durrësi. Sipas prokurorisë, Xhemal Loka ka ushtruar dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij, bazuar edhe në dëshmitë e familjarëve.
Prokuroria thotë se dhuna fizike dhe psikologjike mund ta ketë çuar drejt vetëvrasjes Bedrie Lokën.
Po ashtu, prokuroria pohon edhe denoncimin e bërë një vit më parë nga Bedria për denigrimin që i bëhej në Tik Tok, hetime të cilat vijojnë edhe tani.
“Nga deklarimet e marra familjarëve të të ndjerës, nga kqyrja e telefonave celularë si dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të bazuara në prova se i ndaluari ushtronte dhunë fizike dhe psikike ndaj të ndjerës, keqtrajtim i cili ka qenë sistematik dhe që dyshohet të kenë cuar të ndjerën në vetvrasje.
Gjithashtu, bazuar në këtë dinamikë të evidentimit të faktit penal të ndodhur, më datë 06.01.2024, është kqyrur banesa e familjes Loka, ku rezultoi se “në kotecin e pulave në anën jugore të banesës … gjendet e mbështjellë me peshqir një armë zjarri automatike “PPS”, me krehër, pa fishek, pjesët e lëvizshme të rregullta e me gjilpërë të rregullt, me numër arme “89-0579”, si dhe “në këtë vend janë gjetur 114 copë fishekë, model ’54, kalibër 7.62mm dhe 4 katër fishekë model ’56, kalibër 7.62mm”, të cilat, pasi u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, u dërguan pranë Institutit të Policisë Shkencore Tiranë për t’ju nënshtruar ekzaminimit teknik balistik.
Për sa më sipër nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është kërkuar të vleftësohet si i ligjshëm ndalimi i këtij shtetasi dhe të caktohet ndaj tij masa e sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Lidhur me kallëzimin penal të të ndjerës B. L.,rezulton të jetë regjistruar procedim penal për veprën penale të “Falsifikimit kompjuterik” parashikuar nga neni 186/a i Kodit Penal dhe hetimet për këtë procedim vazhdojnë.
Duke e mirëkuptuar interesin e mediave për informimin e publikut, organi i akuzës kërkon angazhimin e tyre për të mos arritur në konkluzione bazuar mbi informacion të paverifikuar, me qëllim që të mos cenohet hetimi i ngjarjes, si dhe parimi i sigurisë publike në raport me familjarët e viktimës”, thuhet në njoftim.