Mbrëmjen e kaluar u vra me armë zjarri një 22-vjeçar në qytetin e Vlorës. Sipas policisë viktimë ka mbetur Gëzim Sinomati. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri” rreth orës 22.00 të së dielës. Dyshimet paraprake janë se ekzekutimi të jetë bërë me snajper, pasi i riu është qëlluar në ballkonin e banesës së tij në katin e tretë pranë poliklinikës. Gëzim Sinomati kishte pak ditë që kishte mbërritur në Vlorë nga Belgjika për të festuar festat e fundvitit. Policia është në kërkim të autorëve të krimit ndërsa mbetën të paqarta rrethanat e ngjarjes.
Mësohet se 22-vjeçari është me precedentë të mëparshëm penale. Raportohet se viktima është djali i ish-anëtarit të bandës së Gaxhait, Sokol Sinomanti, i njohur si ‘buzëderri’. Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit i njohur si ‘buzëderri’, ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000.
Rreth një ore pas ngjarjes është gjetur një makinë tip “BMW” e djegur që dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes. Policia bën me dije se autorët kanë braktisur makinën në lagjen ‘24 maji’ duke e djegur dhe më pas janë larguar nga vendngjarja duke përfituar nga errësira.