Gazetari investigativ Artan Hoxha ka rikthyer në vëmendje një deklaratë të bërë disa vite më parë në ‘News24’ ku shprehej se 5 shefa komisariatesh në Tiranë merrnin nga 2 mijë euro në muaj nga Ervis Martinaj.
Këtë e ka bërë nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, fill pas publikimit të lajmit se Ervis Martinaj u ndihmua nga efektivi i operacionales Jeton Lami.
Hoxha tregon bisedën në studion e ‘News24’, ku deklaronte se 5 drejtorë policie në Tiranë merrnin një shpërblim fiks prej 2 mijë eurosh në muaj nga një kompani bastesh, që kontrollonte tregun e lojërave të fatit në vend dhe ka lidhje të forta me boten e krimit.
Por pas emisionit, Hoxha thotë se është telefonuar nga Ervis Martinaj, i cili i ka deklaruar se jo 5 por 6 drejtorë ishin në listë pagesë. Sipas gazetarit, nëse gjendet listëpagesa që u ka bërë zyrtarëve të lartë të shtetit do të habiteshin edhe specialistët më të mirë të Ministrisë së Financave.
POSTIMI I PLOTË I ARTAN HOXHËS:
Asgjë e re, nga ngjarja në perëndim të Shqipërisë..
Sot, bëri shumë zhurmë, arrestimi i një efektivi të Forcës së Posaçme Operacionale, i cili akuzohet se ka shërbyer si truprojë apo shofer i “mbretit te lojërave të fatit” në Shqipëri, Ervis Martinaj…
Për ata që e kanë njohur Martinajn, ky fakt nuk përbën asnjë çudi.
Sa për ilustrim po sjell një episod në vitin 2015, pak kohë pas operacionit me emrin e koduar “Fundi i marrëzisë”, ku synohej te goditej paligjshmeria ne industrine e lojerave te fatit, por ne fakt ndodhi e kundërta.
Moderatori i News24, më kishte ftuar ne rubrikën “Opinion”, që transmetohej live, çdo pasdite ne orën 17:00.
Gjate bisedës po shpjegoja se si krimi i organizuar korruptonte policinë, jo vetëm qe ta neutralizonte per te mos e goditur, por edhe për ta kthyer ne një bashkëpunëtore ne luftën kundër grupeve rivale…
Ne një moment moderatori me pyet, se deri ne çfarë niveli shkonte ky korrupsion dhe si bëhej pagesa?!
Po te sjell vetëm një detaj,-i thashë.
Tirana, ka 6 shefa komisariatesh. Kam mësuar se 5 prej tyre, marrin një shpërblim fiks prej 2 mije eurosh ne muaj nga një kompani bastesh, që kontrollon tregun e lojërave të fatit në vend dhe ka lidhje të forta me boten e krimit.
Kjo tarifë u jepet drejtuesve te komisariateve aforfe, qofte dhe pa bere asnjë kontakt ose bashkëpunim. Pastaj kush tregohet me fleksibel, e shumëfishon pagesën ne varësi te kontributit qe jep.
Kaq mjafton qe ky grup i strukturuar kriminal, jo vetëm te mos goditet ne aktivitetin qe kryen, por edhe te ndihmohet duke sulmuar rivalet e tij.
Ne atë moment moderatori me pyet:
Sikur ishin 6 shefa komisariatesh, pse thua qe vetëm 5 prej tyre janë ne borderonë e kompanisë se lojërave te fatit???!!
I gjashti, i thashë, nuk e ka marre akoma emërimin, është vetëm i komanduar dhe nuk e di nëse e kane futur ne listëpagese…
Nuk kishin kaluar as 10 minuta nga mbarimi i emisionit, kur me bie celulari dhe nga ana tjetër e telefonit, më foli një person, i cili u prezantua si Vis Martinaj.
“E ndoqa me vëmendje emisionin tuaj, por ishe pak i pasaktë”,-me tha.
I zënë në befasi, pasi e njihja mire kush ishte, çfarë përfaqësonte dhe nuk e prisja të më merrte vetë në telefon, i them: ku isha i pasaktë?!!
“Dëgjo – më tha,- edhe ai i gjashti, është në listëpagesë”….
Prandaj, nëse diku, apo dikur, do të gjendet listëpagesa që Vis Martinaj, u ka bërë zyrtarëve të lartë të shtetit, drejtuesve të policisë, prokurorëve ose gjyqtarëve, nëpërmjet kompanive të tij të lojërave të fatit, do të habiteshin edhe specialistët më të mirë të Ministrisë së Financave, se sa rigoroze dhe e saktë ka qenë e përpiluar….