Në këtë 5 maj janë përkujtuar Dëshmorët e Policisë së Shtetit. Për fat të keq, 226 efektivë të policisë kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Në këtë ditë shënjuese, u zhvillua në Akademinë e Sigurisë një ceremoni zyrtare ku morën pjesë përfaqësues të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, të Ministrisë së Brendshme, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës.
Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh se ky moment përkujtimi për kolegët që nuk janë më, është një motiv për të mos harruar kurrë betimin para flamurit
“Çdo 5 Maj, Policia e Shtetit dhe gjithë populli ynë përulen para veprës dhe sakrificës së kolegëve tanë që nuk janë më mes nesh. Sakrificat e tyre na kanë motivuar dhe na motivojnë që të mos harrojmë kurrë betimin para flamurit dhe të nderojmë uniformën që mbajmë veshur. Ky betim ka në themelet e tij edhe gjakun e 226 Dëshmorëve të Policisë. Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Atdheut:
Sot, ju nuk jeni vetëm, asnjëherë nuk do të jeni vetëm, por pjesë e rëndësishme e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit. Djem dhe vajza të Dëshmorëve të Policisë gjenden sot në radhët tona, për të vazhduar misionin e baballarëve të tyre. Të jeni të bindur që sakrifica e tyre nuk do të shkojë dëm. Për të gjithë ne, për mua personalisht, është detyrë, përgjegjësi dhe reflektim në punën tonë. Puna e gjithsecilit prej nesh, mbart brenda saj sakrificën e qindra Dëshmorëve të Policisë, detyrimin e të gjithë atyre që duan dhe zbatojnë ligjin, që të përkrahin Policinë, në luftën e pandërprerë me të keqen dhe krimin. Jeta dhe gjaku i tyre do të do jenë motivi ynë për të përmbushur misionin për të cilin ata u sakrifikuan. I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit. Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Atdheut!”, tha Rrumbullaku.
Pjesë e ceremonisë, ishte edhe efektivja Marsida Rrustemaj, vajza e një dëshmori dhe sot efektive policie.
“Unë, si vajzë e një dëshmori, ndjej mirënjohje dhe respekt për këtë vlerësim që iu bëhet të rënëve dhe njerëzve tanë. Zotohem se do të punoj pa kursyer asgjë nga vetja, për të nderuar kujtimin e të gjithë të rënëve, për të treguar se sakrifica e tyre ia vlejti dhe do të ngelet një motiv për të vazhduar më tej, për të përmbushur misionin për të cilin ata u sakrifikuan. Sot, ne nuk jemi vetëm, pasi jemi pjesë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit, që na dha mundësi për të vazhduar misionin e baballarëve tanë”, tha Rrustemaj.
Në fund të ceremonisë, të pranishmit vendosën kurora me lule në memorialin kushtuar Dëshmorëve të Policisë.