Të paktën katër të burgosur kanë vdekur dhe mbi 60 janë plagosur pas një zjarri të madh që shpërtheu në burgun famëkeq Evin të Iranit. Mediat ndërkombëtare raportojnë se numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë.
Videot e shpërndara në internet treguan flakë, ndërsa të shtëna armësh dhe shpërthime u dëgjuan brenda burgut, që njihet për strehimin e të burgosurve politikë. Ky burg është kritikuar prej kohësh nga grupet perëndimore të të drejtave dhe është futur në listën e zezë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara në vitin 2018 për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Televizioni shtetëror transmetoi pamjet e pasojave të zjarrit, duke treguar mure dhe tavane të djegura në një dhomë që mendohet të jetë kati i sipërm i një punishteje qepëse në. Edhe pasi mediat iraniane pretendojnë se qetësia është rivendosur, situata në burg është ende konfuze. Familjet e disa të burgosurve nuk kanë mundur të kontaktojnë me të afërmit e tyre.
Incidenti ndodhi ndërsa protestat mbarëkombëtare për vdekjen në paraburgim të Mahsa Amini, një gruaje 22-vjeçare iraniane, hynë në javën e pestë. Protestat kanë paraqitur një nga sfidat më serioze për qeverinë iraniane që nga revolucioni i vitit 1979, me demonstrata të përhapura në të gjithë vendin dhe njerëz duke brohoritur me parulla kundër liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei.
Të paktën 233 protestues janë vrarë që kur filluan demonstratat më 17 shtator. 32 nga të vdekurit ishin nën moshën 18 vjeç.