Ministria e Jashtme shqiptare tha të shtunën se 4 viktima me origjinë shqiptare janë identifikuar mes viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa të Greqisë.
Pas komunikimit me autoritetet greke, Ministria e Jashtme shqiptare bën me dije se viktimat e identifikuara janë Ifigenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas dhe Klaudia Lato.
Sipas Ministrisë, pritet përgjigja e ADN-së për një tjetër shtetas shqiptar të shpallur “i zhdukur” nga familja dhe policia greke.
Ndërkohë dy shtetasit shqiptarë, Roberto Dristi, 25 vjeç dhe Anisa Liuri, 23 vjeç, po trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv.
Sipas të dhënave të përditësuara të shtunën nga policia greke, numri i të vdekurve të identifikuar është 55, ndërsa totali i të vdekurve të konfirmuar është 57.
Sipas autoriteteve greke 56 persona janë të zhdukur dhe 48 të tjerë janë plagosur, nga të cilët 20 të plagosur.
Autoritetet greke njoftuan ngritjen e një Komiteti të Posaçëm Ekspertësh për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Ndërkohë, kreu i stacionit të Larisës pritet të dalë të dielën në prokurori nën akuzat e rënda për vrasje nga pakujdesia që i rrezikojnë dënimin nga 10 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
Sipas avokatit të tij, ai ka pranuar “pjesën e tij të përgjegjësisë” për lejimin e trenit të pasagjerëve të hyjë në trajektoren e gabuar dhe të përplaset kokë më kokë me trenin e mallrave pranë qytetit të Tempit.
Protesta të shumta janë zhvilluar pas aksidentit të dy trenave në qytetet kryesore greke ku shprehet revolta për jetët e humbura dhe kërkohet siguri në transportin hekurudhor në vend.