Tre persona, shtetasit I. S., 73 vjeç dhe Sh. S., 68 vjeçe, bashkëshortë, vajza e tyre, shtetasja R. S., 48 vjeçe, janë arrestuar në flagrancë teksa tentuan t’i merrnin 30 000 euro, një shtetasi, pasi e kishin mashtruar se do të ndikonin për t’i regjistruar pronën.
Në pranga është vënë edhe një 31-vjeçare E. I.,, punonjëse e një banke, e cila dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka transferuar një shumë parash që i ka shërbyer këtij rasti mashtrimi.
Sipas policisë, shtetasit I. S., Sh. S. dhe R. S. kishin mashtruar prej disa vitesh, një shtetas, me pretendimin se do të ndikonin për t’i regjistruar një sipërfaqe toke, në organet kompetente. Shtetaset Sh. S. dhe R. S. u kapën në flagrancë duke i marrë 30 000, këtij shtetasi, për këtë qëllim. Ndërkaq, shtetasja E. I., punonjëse në një bankë të nivelit të dytë, u arrestua pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka kaluar në llogarinë e vet, një shumë parash të shtetasit të mashtruar, të cilën më pas ia ka dorëzuar shtetaseve Sh. S. dhe R. S..
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 30 000 euro, 1 automjet, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.