Dosja e 21 janarit mbetet në kompetencë të Prokurorisë së Tiranës. Gjykata e Posaçme ka vendosur në dhomë këshillimi mospranimin e ankimit të familjarëve të të vrarëve më 21 Janar, të cilët kërkonin që kjo cështje të shqyrtohej nga SPAK pasi nuk kishin besim te organi i akuzës në kryeqytet.
Vendimi është marrë ditën e sotme, e ndërsa vjen në një kohë kur SPAK dhe vetë kreu i këtij institucioni Altin Dumani i kishte dërguar një letër familjarëve ku ia bënte të qartë se deri më tani nuk ka prova të mjaftueshme që kjo dosje të merrte në hetim nga kjo strukturë e re e drejtësisë. Ai theksoi se në rast se nga hetimet do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi, atëherë dosja do të merret në dorë nga vetë SPAK, siç ata kërkojnë.
Paditë e reja erdhën si rezultat të një audio përgjimi të pretenduar, që xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ka thënë se ia ka dhënë gazetarit, ku sipas tyre rezultojnë të dhëna të reja si dhe fjalë konkrete të të kallëzuarit Ndrea Prendi gjatë zhvillimit të kësaj ngjarje dhe del në pah më së miri dhënia e urdhrave për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve. Fajtor për këtë bëjnë ish kryeministrin Sali Berisha, ish ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish kreun e Gardës, Ndrea Prendi.