Politikanët shqiptarë kanë uruar Kosovën për 15 vjetorin e pavarësisë. I pari ka qenë kryeministri Edi Rama i cili me një postim në rrjet uron me simbolin e një shqiponjeje dhe shkruan “Gëzuar Pavarësinë Kosovë”.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla thotë se: Kuvendi i Shqipërisë është në mbështetje të së vërtetës dhe të së drejtës për luftën çlirimtare të UÇK, integrimeve evro-atlantike, rritjes së njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dialogut të këshilluar nga ShBA e BE dhe ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe rritjes së kontributit të Kosovës për paqen dhe sigurinë në rajon, kontinent e më gjerë.
Ministrja për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka ka ndarë urimin e saj.
“Një ditë për t’u ndjerë krenarë për sa shumë e arritur në këto 15 vjet& për të kujtuar me nderim të gjithë ata që punuan e luftuan duke sakrifikuar gjithçka për Kosovën e pavarur.”- shkruan Xhaçka.
Urime ka pasur edhe nga opozita.
‘Ndajmë krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat dhe elementët shtet ndërtues duke u kthyer në vetëm pak vite një shembull frymëzues për Shqipërinë dhe rajonin!’, uron Kryetari i PL, Ilir Meta
“Rruga drejt së ardhmes është e mbushur me sfida dhe këtë po e shohim përditë. Jam i bindur se me maturi dhe vendosmëri, lidershipi politik dhe populli i Kosovës do t’ia dalin ti tejkalojnë me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së konsolidimit të shtetit dhe integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike”, shkruan ish kryetari i PD Lulzim Basha.
Ndërsa Ministrja Evis Kushi uron Pavarësinë e Kosovës me albumin e veçantë, të krijimeve të nxënësve me mesazhet emocionuese të tyre.