Shtetet e Bashkuara të Amerikës po goditen nga i ftohti ekstrem. Autoritetet raportojnë për të paktën 12 viktima.
Stuhia artike që ka prekur SHBA shtrihet në shumicën e shteteve nga Teksasi në jug e deri në Liqenet e Veriut. Shumica e personave që kanë humbur jetën janë për shkak të aksidenteve me makinë në rrugët e akullta.
Mbi 1.5 milionë qytetarë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa rreth 5,600 fluturime janë anuluar. I ftohti i acartë i ka çuar temperaturat deri në temperaturat -45℃, njoftuan meteorologët amerikanë.
Meteorologët paralajmërojnë se stuhia e dimrit mund të shndërrohet në një “ciklon bombë”. Cikloni i bombës është një term që i jepet një stuhie shpërthyese që intensifikohet me shpejtësi, me presionin qendror të ajrit që bie me të paktën 24 milibar në 24 orë.
Aktualisht qendra e stuhisë është në Buffalo në shtetin e Nju Jorkut, ku shpejtësia e erës është regjistruar deri në 127 km për orë.