Teksa Vlora ka nisur dekorin e festave të nëntorit, operatorët turistik janë angazhuar që ky 110 vjetor i Pavarësisë ta kthejë qytetin në destinacionin kryesor të festimeve.
Ndryshe nga vitet e tjera, të gjithë turistët këtë vit në Vlorë do të gjejnë paketa unike.
“Të gjithë qytetarët shqiptar dhe ata të Kosovës, që do të zgjedhin dhe që uroj të gjithë të vijnë në Vlorë, në çdo hotel do të kenë të njëjtin çmim, pra përveç çmimit të akomodimit të gjitha strukturat hoteliere kanë marrë masat që të kenë darkën të përfshirë dhe programet muzikore që do të kenë të gjithë baret dhe restorantet përgjatë bulevardit dhe Lungomare,’ – u shpreh Vasil Bedinaj, kreu i shoqatës së operatorëve turistik për jugun.
Por kjo ofertë nuk shkon në të njëjtën linjë me agjencitë turistike, të cilat nuk kanë kërkesa nga ata që do të vizitojnë Vlorën më 28 dhe 29 nëntor. Shumica e qytetarëve shqiptarë zgjedhin të ikin jashtë vendit.
“S’kemi asnjë ofertë, nuk kemi nxjerrë, në përgjithësi nuk ka të ardhur, shumica e njerëzve që janë këtu, i shfrytëzojnë këto ditët e festave për të ikur jashtë Shqipërisë, për të ardhur nuk ka. Nuk kemi pasur kërkesa, ka shumë kosovarë që vijnë, por vijnë në mënyrë individuale, por ne vetë nuk kemi pasqyruar asnjë ofertë,” – tregoi Elona Sulaj, agjente në sektorin e turizmit.