Pavarësisht komplikacioneve shëndetësore, Gjykata e Tiranës nuk i caktoi një masë më të lehtë sigurie sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj.
Seanca e cila zgjati rreth tre orë, përfundoi me lënien në burg të tij dhe të dy të arrestuarve të tjerë, përkatësisht drejtorit juridik në këtë ministri, Fatmir Hoxha dhe përmbaruesit gjyqësor, Alban Ruli. Masa ndaj Gjokutajt u dha në kushtet e spitalit, ku ndodhet i shtruar në repartin e kardiologjisë prej momentit të arrestimit. Dy të tjerë ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.
Zyrtarët e Financave dhe përmbaruesi ranë në prangat e policisë me datë 11 janar. Prokuroria e Tiranës tha se zyrtarët kanë shkelur ligjin duke pranuar që Ilir Thana të dëmshpërblehej si ish-pronar, pavarësisht se ishte dëmshpërblyer njëherë në vitin 2015. Dëmi i shkaktuar ndaj shtetit sipas hetimeve kap shifrën 1.2 milion euro, shumë kjo që pritej t’i kalonte Ilir Thanës si dëmshpërblim për një objekt magazinë që ai kishte blerë në vitin 1992.
7 vite më parë Thana kishte marrë një dëmshpërblim në vlerën e 3 milionë lekëve të vjetra nga Ministria e Financave po për këtë pronë. Por ai iu drejtua sërish Ministrisë së Financave për të kërkuar kompensim në vitin 2022. Për të ekzekutuar kompensimin, në skemë përfshihet përmbaruesi gjyqësor privat Alban Ruli.
Sipas dosjes hetimore, përmbaruesi ka bërë procedurat për ekzekutimin e fondit, por në llogarinë e motrës së Thanës, më kërkesë të këtij të fundit. Fondi i parë i çelur ishte në vlerën e mbi 48 milionë lekëve, ndërsa pjesa tjetër do lëvrohej më vonë.